Luftime në Sudan, teksa palët zhvillojnë bisedime në Arabinë Saudite
Granatime dhe sulme ajrore kanë goditur pjesë të kryeqytetit sudanez, Kartum, duke dhënë pak sinjale se fraksionet ushtarake janë të gatshme të ulin armët në konfliktin që ka lënë të vdekur qindra persona, pavarësisht se bisedimet për armëpushim pritet të zhvillohen në Arabinë Saudite më 14 maj.
Kartumi dhe qytetet përreth, Bahri dhe Omdurmani, kanë qenë në epiqendër të konfliktit së bashku me provincën perëndimore të Darfurit, që kur ushtria dhe Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë nisën luftimet një muaj më parë.
Sulmet ajrore kanë goditur Bahrin dhe Omdurmanin mëngjesin e së dielës, raporton Reuters. Ndërkaq, televizioni Al Arabiya ka raportuar për luftime të ashpra në qendër të Kartumit.